Dy shtetas të Kosovës kanë vdekur si pasojë e një aksidenti në tunelin e Kalimashit, që ndodhi pasditen e së mërkurës. Policia e Kukësit ka njoftuar se viktimat janë S. O., 58 vjeç, dhe N. O., 45 vjeç. Ende nuk dihen rrethanat e këtij aksidenti.
Të lënduar nga ky aksident kanë mbetur edhe tre persona të tjerë, dy prej tyre nga Kosova.
“Në lidhje me aksidentin e ndodhur në tunelin e Kalimashit, ku u përfshinë në një aksident rrugor automjetet tip ‘Benz’ me drejtues shtetasin A. B., banues në Tropojë, automjeti tip ‘Ford’, me drejtues shtetasin I.L., banues në Kosovë, dhe autoboti me drejtues shtetasin Sh. S., banues në Kosovë, ju informojmë se shtetasit që kanë humbur jetën janë S. O., 58 vjeç, dhe N. O., 45 vjeç, banues në Kosovë, pasagjerë në automjetin tip ‘Ford’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Bëhet e ditur se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit dhe dokumentin ligjor të kësaj ngjarjeje.