Dy të rinj shqiptarë, S.Xh dhe A.Ç kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio, më 11 nëntor, lajm ky që ka tronditur komunitetin shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri.
Sipas iniciuesve të fondit, S.XH, 27 vjeçe, ishte studente e doktoraturës në Cleveland State University, e njohur për përkushtimin, inteligjencën dhe pasionin e saj për kërkimin shkencor.
Ndërsa A.Ç 30 vjeç, ishte në përfundim të studimeve në Cleveland State University Law dhe po përgatitej për provimin e jurisprudencës.
Të fejuarit ndanin dashurinë për librat, për dijen dhe për botën e “Harry Potter”, e cila i lidhte edhe më shumë në jetën e tyre të përditshme. Miqtë dhe të afërmit i përshkruajnë si dy të rinj të qetë, të mirë dhe të dashur, që sillnin ngrohtësi kudo ku shkonin, dhe kanë hapur një GoFound Me.
“Humbja e tyre ka lënë një boshllëk të pamatë në familjet tona dhe në komunitetin që ata prekën me dritën dhe dhembshurinë e tyre,” shkruhet në thirrjen e hapur.
Fushata ka për qëllim të mbledhë fondet e nevojshme për transportimin e trupave në Shqipëri si dhe për shpenzimet e varrimit dhe ceremonive përkujtimore. /S.K/KP/
