Tre persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në aksin rrugor Rahovec – Xërxë, saktësisht në fshatin Bërnjak.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj njoftoi për UBTNews se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë.
“Deri te aksidenti ka ardhur deri sa i dyshimti po drejtonte automjetin e tij, i cili ishte duke lëvizur përgjatë aksit rrugor Rahovec – Xërxë dhe kur arrin në fshatin Bërnjak nuk ia pershtati shpejtësinë e lëvizjes automjetit të tij ku rruga është me kthesë humb kontrollin mbi automjetin e tij, devijon shiritin e rrugës nga shiriti i djathtë del në shiritin e majtë dhe me pjesën e përparme të krahut të majtë e godet automjetin në pjesën e përparme të krahut të majtë, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt drejtimi Xërxë – Rahovec”, deklaroi ai.
Gjurkaj njoftoi se tre të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjakovë për trajtim mjekësor, e pastaj njëri prej tyre është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, njëri në repartin e Kirurgjisë në Gjakovë, kurse tjetri është liruar në shtëpi.
Sipas njoftimit, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë./UBTNews