UBT News

Aksident në Vjosë, tetë persona humbin jetën

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në Shqipëri ku si pasojë kanë humbur jetën 8 persona.

Sipas njoftimit të policisë, shtatë persona dyshohet se janë shtetas nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra.

“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas. (7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas raportimeve të Ora News, dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por burime bëjnë me dije se mjeti me emigrantë të paligjshëm është pikasur nga patrulla policore duke shtuar shpejtësinë për t’i ikur policisë.

Drejtuesi nga Shkodra, ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosa në fshatin Kuqar. Ai me shpejtësi dyshohet se ka tentuar t’i ikë policisë dhe ka humbur kontrollin e mjetit ‘Benz’.

Burimet thonë se sipas ekspertizës paraprake mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi 180 km/h.

Dy prej trupave të viktimave raportohet se ndodhen ende brenda mjetit të shkatërruar.

Dyshohet se automjeti është marrë me qira, ndërsa priten të tjera verifikime nga ana e policisë.

Exit mobile version