Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë në rrugën Arllat-Malishevë.
Në këtë aksident janë përfshirë katër automjete, ndërsa kanë të mbetur të lënduar edhe gjashtë persona të tjerë.
Zëdhënësja e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, Flora Ahmeti i tha KosovaPress-it se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 20:30, në rrugën Arllat-Malishevë ka ndodhur një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshira 4 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit janë lënduar shtatë persona. Njëri nga personat e lënduar nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Personat e tjerë janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që me hetimin e rastit po merren hetuesit rajonal të komunikacionit rrugor”, deklaroi Ahmeti.