Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në rrugën Arllat-Malishevë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka informuar se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Ahmeti ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur ndërmjet dy veturave.
“Rreth orës 07:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Arllat – Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka informuar Ahmeti.
Ndërkohë me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.