UBT News

Humb jetën punëtori i KEK-ut, Haxhi Gojnovci

Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, viktima është Haxhi (Selatin) Gojnovci, i lindur më 23 prill 1967 në Lismir të Fushë Kosovës.

Aksidenti ka ndodhur më 16 gusht 2026, në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit të KEK-ut. Sipas Korporatës, Gojnovci ishte duke kryer detyrat e punës dhe, derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij.

Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga 15 nëntori i vitit 1985 dhe për më shumë se katër dekada kontribuoi profesionalisht në Korporatë.

KEK-u e ka kujtuar atë me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale të ndërtuara ndër vite.

“Familjes Gojnovci, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Nga Korporata kanë bërë të ditur se për kohën dhe vendin e varrimit do të njoftohet opinioni sapo të përfundojnë procedurat përkatëse mjeko-ligjore dhe veprimet e tjera nga organet kompetente./A.K/

 

Exit mobile version