UBT News

​AKP zbulon kërkesat për blerje direkte të aseteve, ja çfarë përfshin lista

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në kuadër të angazhimeve për rritjen e transparencës dhe efikasitetit, ka publikuar në ueb-faqen e saj zyrtare listën e kërkesave për blerje direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore. Lista është përgatitur nga Divizioni i Shitjeve Direkte i AKP-së dhe përfshin të gjitha kërkesat e evidentuara ndër vite.

Sipas AKP-së, aktualisht figurojnë 1,116 kërkesa të pashqyrtuara, të renditura sipas datës së dorëzimit dhe që mbulojnë periudhën nga viti 2015 e deri më sot. Këto kërkesa nuk janë trajtuar ende për shkak të rrethanave të ndryshme ligjore dhe teknike, si masat e përkohshme të vendosura nga gjykatat, çështjet kadastrale, mospërputhjet ndërmjet gjendjes grafike dhe asaj tekstuale, rastet e aseteve të përfshira në proceset e shpronësimit nga Qeveria, si dhe situata të tjera që kërkojnë verifikim të detajuar para vendimit përfundimtar.

AKP thekson se publikimi i kësaj liste është pjesë e përkushtimit për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj palëve të interesit dhe publikut, duke synuar administrimin sa më të përgjegjshëm të aseteve shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre.

Lista do të azhurnohet në mënyrë të rregullt, ndërkohë që palët e interesuara ftohen që të dërgojnë vërejtjet e tyre me shkrim nëse konstatojnë pasaktësi në të dhënat e publikuara. Këto mund të dorëzohen fizikisht në AKP ose përmes email-it zyrtar: info@pak-ks.org./KP

Exit mobile version