UBT News

AKP-ja nuk ka shitur asnjë aset jashtë Kosovës

Mbi 1600 asete nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit pritet të barten në Fondin Sovran.

Zëvendës-kryesuesja e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Syzana Dautaj-Surdulli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo agjenci ka bërë kategorizimin e 1.654 pronave që do të barten në Fondin Sovran, i cili ende nuk është themeluar deri më tash.

“Agjencia ka bërë kategorizimin e aseteve sipas potencialit zhvillimor ekonomik dhe nga lista prej 2365 asete të cilat janë nën administrim të AKP-së ka identifikuar 1654 asete potenciale për bartjen në Fondin Sovran. Pjesa tjetër e aseteve do të trajtohet sipas ligjit me qëllim të tjetërsimit sa më të shpejt dhe përmbylljes së tyre brenda kornizave përmbyllëse të strategjisë të cilën e kemi aprovuar në dhjetor 2021”, theksoi ajo.

Grupit Punues për hartimin e draftit përfundimtar të koncept-dokumentit për themelimin e Fondit Sovran, i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës dokumentin pas komenteve që kanë pranuar prej daljes në publik.

Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet. Ndërmarrjet nën menaxhimin e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.

Zëvendës-drejtori i AKP-së, Avni Jashari, gjatë raportimit në këtë Komision për raportin vjetor 2021, tha se deri më tani nuk është shitur asnjë pronë e Kosovës jashtë vendit, përkatësisht në gjashtë ish-Republikat e Jugosllavisë.

“Trajtimi i aseteve jashtë Kosovës ka specifikat e veta për shkak se janë të shpërndara në gjashtë ish-Republikat përbërëse të ish-federatës jugosllave. Edhe Ligji i AKP-së e parasheh trajtimin e këtyre aseteve në kuadër të kufizimeve të fushëveprimit për administrimin e këtyre aseteve. AKP-ja nuk ka shitur asnjë prej këtyre aseteve jashtë Kosovës”, theksoi ai.

Pas interesimit të deputetëve për paditë e AKP-së në Arbitrazh, zëvendës drejtori Jashari tha se kjo agjenci e ka humbur rastin ndaj kompanisë “Sharrcem” në Arbitrazh.

Për shitjen lirë të tokave bujqësore, drejtues të kësaj agjencie kanë thënë se çmimi mesatar për një ari tokë ka qenë 52 euro.

Në këtë raportim u bë e ditur se sa i përket pagave të anëtarëve të Bordit të AKP-së, ato janë zbritur nga mbi 3 mijë euro në rreth 2 mijë euro ose rreth 30 përqind.

Si sukses i punës së Bordit të ri të AKP-së u tha të jetë marrja e kontrollit të kompleksit turistik të Brezovices. Ky bord i emëruar tetë muaj më parë nuk ka shitur asnjë pronë.

Me shumicë votash, Komisioni ka votuar raportin vjetor 2021 të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Exit mobile version