Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka reaguar pas deklaratave të kandidatit për kryeministër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili ka kërkuar nga bordi i AKP-së të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi.
Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka marrë vendim për pezullimin e valëve të shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e dates 14 shkurt 2021.
“Duke pasur parasysh planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitin 2021 dhe obligimet ligjore të AKP-së që të zbatojë ligjin në fuqi, Bordi ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të shitjeve në mënyre që të hyrat buxhetore të arrihen sipas Ligjit për Buxhetin. Sidoqoftë, e ritheksojmë se qysh javën e kaluar, në respektim të procesit të formimit të institucioneve të reja, dhe me qëllim të koordinimit sa më të ngushtë me Kuvendin dhe Qeverinë, Bordi ka marrë vendim për pezullimin e valëve të shitjes”, thuhet në reagim.
Mes tjerash thuhet se AKP në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore dhe lokale konform mandatit të saj ligjor. Kjo praktikë do të vazhdoj edhe në të ardhmen duke respektuar në plotni kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet e ndërsjella me institucionet relevante./UBTNews