Këtë të martë ishte paraparë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të takohen me kryetarët e Komunave të Kosovës për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Mirëpo disa nga kryetarët e komunave nuk i shkuan Kurtit e Vitisë në takim, kjo meqë Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) mori vendim unanim për mos-prezencë në këtë takim. Bordi tregon se pse bënë thirrje që të mos t’i shkojnë Kurit në takim.
Largimi i AKK-së si përfaqësues i komunave në Komitetin antiCOVID-19, moslejimi i shqyrtimit të buxhetit komunal, mospërgjigjiet e ministrave të linjave ndaj kërkesave të komunave, thuhet të jenë tri nga veprimet e qeverisë të cilat indinjuan AKK-në.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në mënyrë unanime ka vendosur që Kryetarët e Komunave të mos marrin pjesë në takimin e sotëm të ftuar nga Kryeministri i Kosovës. Bordi ka vlerësuar se tek vendim kanë ardhur duke pas parasysh disa nga veprimet e Qeverisë së Kosovës e të cilët kanë qenë të drejtuara kundër pushtetit lokal në Kosovë: 1. Largimi në mënyrë arbitrare i AKK-sē si përfaqësues i Komunave në Komitetin Anti -Covid19. 2. Mos lejimi i shqyrtimit të buxhetit komunal. 3. Mospërgjigjet e ministrive të linjave ndaj kërkesave të Komunave. Bordi vlerëson se ky veprim do ta bënte qeverinë që t’i thërriste mendjes që t’i trajtoj Kryetarët e Komunave me më shumë seriozitet në marrjen e vendimeve që prekin komunat. Poashtu Bordi vlerëson se kjo është edhe mungesë e konsultimit paraprakë për organizimin e takimeve të tilla serioze me kryetarët e Komunave”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Megjithëkëtë takimi është mbajtur, por që të pranishëm mësohet të kenë qenë vetëm kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtri dhe ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Tashmë ky takim i Kurtit ka përfunduar.