Tema më e diskutuar e dy viteve të fundit ka qenë pandemia COVID-19, e cila ka prekur në masë të madhe shëndetin publik dhe është konsideruar si një nga krizat më të rrezikshme të kohës. Barrën më të madhe në këtë krizë e kanë pasur personeli shëndetësor, të cilët janë përkujdesur që të sigurojnë shëndetin e pacientëve dhe të shpëtojnë jetë.
Në bazë të kësaj, Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave Mjekësore Teknike në UBT, në kuadër “Global UBT Fest 2022”, do të ketë aktivitete të ndryshme, ligjërata nga profesionistë shëndetësorë, si dhe inkuadrim të pjesëmarrësve në diskutime të ndryshme për të dalur në konkludime rreth problematikave të krijuara nga pandemia COVID-19.
Me temën “Profesionistët shëndetësorë para, gjatë dhe pas pandemisë COVID-19”, synohet të bëhet një analizë më e gjerë e kërkesave shëndetësore dhe psiko-sociale të pacientëve, rreth kujdesit të pacientëve në kohë krizash, si dhe të shqyrtohet ndikimi i ambienteve të kujdesit kritik tek pacientët dhe familjet e tyre dhe strategjitë që infermierët mund të zbatojnë për të minimizuar veprimet e tilla.
Në akademitë verore të drejtimeve Infermieri, Teknik i Radiologjisë dhe Teknik i Anesteziologjisë, do të marrin pjesë studentë, folës të ndryshëm dhe profesionistë të fushave mjekësore, të cilët do të angazhohen në forume dhe punëtori, si dhe në aktivitete të tjera.
Studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë, pas përfundimit të Akademisë së Shkencave Mjekësore do të mund të zbatojnë njohuritë relevante në situatat e praktikave klinike brenda mjediseve të kujdesit kritik, si dhe të diskutojnë rëndësinë e komunikimit efektiv, punës ekipore dhe vlerësimin në kohë të pacientëve dhe përshkallëzimin për rezultate optimale të pacientëve.
Linku për aplikim: Global UBT Fest 2022