Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT ka nisur aktivitetet e saj me ligjëratën e profesorit të UBT-së, dr. Besnik Qehaja rreth teknologjive më të fundit në botë, Virtual Reality dhe Augmented Reality, për multimedian dhe gaming, që janë trend në gjithë botën.
Diskutimi ka vazhduar me ligjëratën e profesorit të UBT-së, dr. Bertan Karahoda dhe pjesëmarrësit e tjerë rreth inteligjencës artificiale që është temë trend në gjithë botën, duke vlerësuar se inteligjenca artificiale është gjithmonë në zhvillim e sipër dhe se hulumtimet për të kanë kaluar në një nivel krejtësisht tjetër.
Për rëndësinë e ekipit të reagimit emergjent kompjuterik (CERT) dhe ekipin që përgjigjet ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike (CSIRT), ka folur dr. Blerton Abazi, duke e marrë si rast studimi UBT-CERT.
Ai tha se është jashtëzakonisht e nevojshme që Kosova të ketë një ekip të tillë të njohur botërisht për sigurinë ndaj sulmeve kibernetike, duke vlerësuar lartë faktin se UBT-CERT është organizata e parë nga Kosova e anëtarësuar në organizatën më të madhe botërore të sigurisë “FIRST”.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT do të vazhdojë aktivitetet e saj ditëve në vijim me ligjërata e tematike të ndryshme për fushën e inxhinierisë kompjuterike, si dhe me gara hacking të cilat do të nxjerrin talentë të rinj në fushën e shkencave kompjuterike.