Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave Mjekësore në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka nisur me aktivitetet e ndryshme, të cilat janë të fokusuara në trajtimin e temës: “Profesionistët shëndetësorë para, gjatë dhe pas pandemisë COVID-19”.
Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme janë zhvilluar disa ligjërata tematika me folës të ndryshëm, si: profesori Ilir Ahmetgjekaj, i cili ka ligjëruar rreth imazherisë radiologjike e infeksionit me COVID-19, si dhe për temën: “COVID 19 dhe ICV iskemike. Gjetjet Imazherike”.
Ndër të tjera, kanë ligjëruar edhe profesori Zaim Gashi, rreth temës: “Gastroenterologet, endoskopia dhe COVID-19”, profesoresha Shqipe Agushi, ka folur rreth efekteve të pandemisë në edukimin infermieror, teksa profesoresha Nafije Pajaziti, ka ligjëruar rreth temës: “Roli i shërbimeve në shëndetin mendor gjatë pandemisë me COVID 19”, si dhe profesoresha Arlinda Demaj, e cila ka diskutuar rreth rolit të infermierëve gjatë pandemisë në kujdesin parësor shëndetësor.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Infermieri, Fakultetit Teknik i Radiologjisë dhe i Fakultetit Teknik i Anesteziologjisë, si synim kryesor ka trajtimin e temave të ndryshme rreth fushës së mjekësisë, si dhe angazhimin e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë akademi për të përfituar dhe përforcuar njohuritë e tyre rreth profesionit.