UBT News

Studimi: Ajri i Everestit mund ta mposhtë Parkinsonin

Ajri i hollë, i ngjashëm me atë të kampit bazë të Everestit, mund të ndihmojë në ngadalësimin apo edhe kthimin prapa të simptomave të Parkinsonit, sugjeron një studim i ri i botuar në Nature Neuroscience, ka raportuar The Independent.

Studiuesit nga Harvard Medical School kanë zbuluar se proceset e dëmtuara qelizore në tru shkaktojnë grumbullim të tepërt të molekulave të oksigjenit, gjë që çon në shfaqjen e simptomave të Parkinsonit. Ky oksigjen dëmton qelizat nervore, ndërsa marrja e saj në masë më të vogël ndihmon në mbrojtjen e tyre.

“Bazuar në këtë evidencë, u bë shumë interesante për ne të kuptonim efektin e hipoksisë (mungesës së oksigjenit) te Parkinsoni”, tha autori i studimit, Fumito Ichinose.

Një tjetër studiues, Vamsi Mootha, ka shtuar se niveli i ulet i oksigjenit mund t’i lehtësojë simptomat e sëmundjes në fjalë.

“Ne pamë së pari që niveli i ulët i oksigjenit mund të lehtësonte simptomat në disa sëmundje të lidhura me mitokondrit, si sindroma Leigh dhe ataksia e Friedreichut… Kjo ngriti pyetjen: A mund të vlejë e njëjta gjë edhe për sëmundjet më të zakonshme neurodegjenerative, si Parkinsoni?”, ka thënë ai.

Mitokondria membrana apo mbështjellësi i qelizës e cila e furnizon me energji.

Studiuesit injektuan proteina që quhen α-synuclein (shkaktojnë formimin e trupave Lewy) te minjtë, duke imituar gjendjen e pacientëve me Parkinson. Një grup minjsh qëndroi në ajër normal me 21% oksigjen, ndërsa tjetri në dhoma me vetëm 11% oksigjen, ekuivalent me jetën në 4,800 metra lartësi.

Pas tre muajsh, minjtë që thithnin ajër normal kishin nivele të larta të trupave Lewy, humbje të neuroneve dhe probleme serioze në lëvizje. Ndërsa minjtë e mbajtur në ajër me pak oksigjen nuk humbën asnjë neuron dhe nuk patën probleme lëvizjeje, ani pse trupat Lewy u formuan.

“Shumë oksigjen në tru rezulton të jetë toksik. Duke ulur furnizimin e përgjithshëm me oksigjen, po ndërpresim karburantin e këtij dëmtimi”, tha Mootha.

Kur trajtimi me ajër të hollë filloi gjashtë javë pas injektimit, pasi simptomat ishin shfaqur, minjtë përmirësuan aftësitë motorike, u zhdukën sjelljet e ngjashme me ankthin dhe ndaloi humbja e neuroneve. Shkencëtarët po punojnë për të krijuar “hipoksi në një pilulë”, barna që imitojnë efektet e nivelit të ulët të oksigjenit për të trajtuar sëmundjet që burojnë nga dëmtimet e mitokondrive.

Megjithatë, ata paralajmërojnë se nevojiten më shumë kërkime para se ky zbulim të zbatohet tek njerëzit.

“Ndoshta nuk është trajtim për të gjitha llojet e neurodegjenerimit, por është një koncept i fuqishëm, që mund të ndryshojë mënyrën se si mendojmë për trajtimin e këtyre sëmundjeve”, ka thënë Mootha.

Exit mobile version