Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar Aivo Orav si përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë, pas përfundimit të mandatit të Tomash Szunyog, i cili kishte qenë në post që nga viti 2020.
Aivo Orav është një diplomat estonez me përvojë të gjerë kombëtare dhe të BE-së në një gamë të gjerë pozicionesh. Ai do të merr detyrat e tij më 1 shtator 2024 për një periudhë fillestare prej dy vitesh, njofton Këshilli i BE-së.
Orav aktualisht është Përfaqësuesi i Përhershëm i Estonisë në BE dhe më parë ka shërbyer si Shef i Delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Orav do të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike e cila bashkëpunon me rajonin.
Ai gjithashtu do të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në dhe do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë progresin në prioritetet politike, ekonomike dhe evropiane./UBTNews/