Apple mund të sjellë gjeneratën e tretë të kufjeve të saj popullore pa tela – AirPods Pro 3 – gjatë kësaj vjeshte, dhe një nga risitë më të përfolura është shtimi i një sensori për matjen e rrahjeve të zemrës.
Sipas analistit të njohur të Bloomberg, Mark Gurman, versioni i ri pritet të ketë gjithashtu një çip të ri H3, që premton përmirësime në cilësinë e tingullit dhe funksione më të avancuara për anulimin e zhurmës. Dizajni mund të përfshijë një kuti më të hollë dhe një buton kapacitiv për një proces më të thjeshtuar të çiftimit.
Referenca për “AirPods Pro 3” janë zbuluar tashmë në versionin beta të iOS 26, çka sugjeron se prezantimi mund të ndodhë së bashku me iPhone 17 në ngjarjen tradicionale të shtatorit.
Përveç matjes së rrahjeve të zemrës, përflitet edhe për shtimin e një sensori për matjen e temperaturës së trupit, si dhe mbështetje për përkthim të drejtpërdrejtë në biseda, veçori që do ta zgjeronin ndjeshëm gamën e përdorimeve të kufjeve.
Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se sfidat në prodhim mund të ndikojnë në afatin e lançimit, duke e shtyrë daljen e modelit të ri për në vitin 2026. Deri më tani, Apple nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare për AirPods Pro 3.