Shkencëtarët kanë krijuar një mjet të avancuar të inteligjencës artificiale që premton të revolucionarizojë mjekësinë parandaluese.
Ky sistem i ri mund të parashikojë me saktësi të lartë rrezikun e zhvillimit të mbi 1.000 sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin madje edhe dekada përpara se të shfaqen simptomat.
Zhvilluar nga Laboratori Evropian për Biologji Molekulare, Qendra Gjermane për Kërkime mbi Kancerin e Universiteti i Kopenhagës, teknologjia synon të identifikojë pacientët me rrezik, duke i dhënë mjekësisë shansin për të parandaluar sëmundjet para se të bëhen të rrezikshme.
Modeli quhet Delphi-2M, është sistem i AI-së, i trajnuar mbi miliona kartela mjekësore të anonimizuara, analizon të dhëna nga historiku shëndetësor e faktorë të stilit të jetës, si duhani, konsumimi i alkoolit e mbipesha për të parashikuar shëndetin deri 20 vite në të ardhmen.
Efikasiteti i tij u testua mbi të dhëna nga 400.000 pacientë të projektit UK Biobank dhe 1,9 milionë persona nga regjistri kombëtar danez, duke dhënë rezultate mbresëlënëse.
“Ngjarjet mjekësore shpesh ndjekin modele të parashikueshme. Modeli ynë i mëson ato modele dhe është në gjendje të parashikojë rezultatet shëndetësore të së ardhmes”, shpjegoi Thomas Fitzgerald, bashkautor i studimit të botuar në revistën Nature. /A.Z/UBT News/