Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se kërkesa e Serbisë për mbajtjen e referendumit ndryshe nga dy opsionet e ofruara nga Qeveria e Kosovës, është vetëm pretekst për destabilizim eventual të Kosovës dhe rajonit.
Ahmeti përmes një statusi në Facebook ka thënë se e drejta e votimit nuk i mohohet asnjë qytetari serb në Kosovë, mirëpo ajo nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendit.
“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm preteks për destabilizim eventual të vendit e rajonit. Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka shtuar se kërkesat e paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e Kosovës.
Ndërkohë, shtetet e QUINT-it dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të premten, që të lejojë mbajtjen e referendumit.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it.