Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim Zëvendësdrejtorin për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Lyn Debevoise.
Takimi është fokusuar në diskutimin e prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe rajonin, si dhe në agjendën e Qeverisë së Kosovës në fushat e diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes.
Ahmeti ka theksuar progresin e bërë nga institucionet kosovare dhe ka informuar z. Debevoise për shqetësimet rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, si dhe për situatën e vështirë me të cilën përballen shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Të dy palët kanë vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit strategjik që lidh dy vendet.
Në përmbyllje, Ahmeti dhe Debevoise ripohuan se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë objektiva të përbashkëta në rritjen e stabilitetit rajonal, promovimin e vlerave demokratike dhe thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, të mbështetur në miqësinë e qëndrueshme dhe bashkëpunimin afatgjatë.
