UBT News

Ahmeti: Në Mjekësinë Sportive gjendje më e qetë

Gjatë kësaj jave në Mjekësinë Sportive ka një rënie të lehtë të pacientëve që kërkojnë hospitalizim, mirëpo edhe në këtë klinikë COVID, trajtim kanë kërkuar pacientë në moshë të re, por që kanë pasur gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e infektimit me variantin britanik.

Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti për KosovaPress, ka deklaruar se aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 63 pacientë dhe shumica prej tyre kanë maskë të thjeshtë të oksigjenit.

“Aktualisht në Mjekësi Sportive gjendja është më e qetë, pra kemi një numër pak më të vogël të pacientëve krahasuar me tri javët e kaluara. Aktualisht i kemi 63 pacientë të cilët shumica prej tyre janë me maskë të thjeshtë të oksigjenit. Mund të jenë edhe pa maskë fare sepse tek ne nuk disponojmë mjete tjera si CPAP apo respirator, të gjithë pacientët tek ne marrin vetëm oksigjen të kyçur në burim qendror. Prej pacientëve që kemi pasur numrin rreth 90, qe katër-pesë ditë numri është aty rreth 65”, theksoi Ahmeti.

Ai thotë se kohëve të fundit kanë vërejtur se shpërndarja e COVID-19, tashmë po bëhen më shpejt dhe pacientët po manifestojnë simptoma më të rënda.

“Kemi vërejtur se ka më shumë pacientë të të njëjtës familje të hospitalizuar shumë më shumë se herën e kaluar, që është cilësi e variantit të ri dhe gjithashtu kemi pasur shumë më shumë pacientë në gjendje rëndë të moshave të reja, e cila edhe kjo është cilësi e variantit të ri të virusit”, u shpreh Ahmeti.

Menaxheri i Mjekësisë Sportive apo Infektives 2, Artan Ahmeti për KosovaPress, ka thënë se shumica e stafit mjekësor në këtë klinik kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID, AstraZeneca. Ai thotë se profesionistët shëndetësorë që kanë marrë vaksinën nuk kanë pasur komplikime tjera përveç atyre që sjellin çdo vaksinë tjetër.

“Mjekësia Sportive nuk disponon me mjek dhe staf tjetër shëndetësor të vetin, pra gjithë stafi është i klinikave të tjera kështu që shumica e tyre ose kanë shkuar përmes klinikave të tyre ose prej Mjekësisë Sportive për këtë arsye e kam problem ta di se sa është përqindja e tyre, pasiqë shumica e tyre nuk janë pjesë që unë i menaxhoj. Por e di që disa që janë përkohësisht aty çdo ditë kanë shkuar janë vaksinuar, kanë pasur komplikime të zakonshme ethe, temperaturë, djersitje, kokëdhimbje”, deklaroi ai.

Kujtojmë që në muajt e fundit Kosova është ballafaquar me shifra të larta të të infektuarish me COVID-19, si pasojë e kësaj në vendin tonë aktive me virus vazhdojnë të jenë mbi 11 mijë e 700 raste. Ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar mbi 2 mijë e 100.

Exit mobile version