Shpend Ahmeti, ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), ia ka uruar fitoren Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas publikimit të rezultateve të exit poll-eve.
Ahmeti, me anë të ‘Facebook’-ut, ka thënë se Kosovën do ta qeverisë Vetëvendosja për katër vitet e ardhshme, teksa ka thënë se një legjitimitet të këtillë nuk e ka pasur askush deri më tani.
“Urime Lëvizjes dhe urime qytetarëve për edhe një palë zgjedhje demokratike. Shpresojmë se do të kenë mundësinë të ballafaqohen me problemet reale dhe të mëdhaja që i ka në këto momente Republika e Kosovës”, thuhet në postim.
Postimi i plotë:
Se a i kanë fituar nën apo mbi 50 përqind me votat apo pa votat e minoriteteve janë çështje që mund të përcaktojnë vetëm margjinat e qeverisjes dhe koalicionet e (pa)nevojshme. Po ashtu diskutimi se a ka qenë votë për LVV apo kundër partive tjera është çështje për debate televizive.
Por, një gjë është e qartë pavarësisht rezultateve finale – legjimitetin për të qeverisur me Kosovën në 4 vitet e ardhshme e ka Lëvizja Vetëvendosje. Këtë legjitimitet e ka pas pak kush ose më mirë me thënë askush, në zgjedhjet e pasluftës.
Urime Lëvizjes dhe urime qytetarëve për edhe një palë zgjedhje demokratike. Shpresojmë se do të kenë mundësinë të ballafaqohen me problemet reale dhe të mëdhaja që i ka në këto momente Republika e Kosovës.