Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave me kuorumin minimal dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
Në reagim thuhet se partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, gjë e cila u konstatua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre. Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës”, thuhet në reagim.
AGK bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.