Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar zyrtares së lartë në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali e cila ka vazhduar sulmet ndaj mediave në vend.
Përmes një reagimi, AGK-ja ka përmendur se Mihali ka kërkuar hetime ndaj mediave të Kosovës nën pretendimet e një gazete boshnjake.
“Mihali gjithashtu i ka bërë thirrje AGK-së, të kërkojë hetime duke shkruar se “Asociacioni i gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtetë Vuçiq dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë.” – thuhet tutje.
Ky qëndrim, siç thekson AGK-ja, vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit ndaj mediave dhe gazetarëve.
“Për AGK-në, qëndrimi i fundit i Mihalit vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër medieve dhe gazetarëve në Kosovë. Thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, që nuk ofron asnjë fakt e dëshmi për pretendimet e veta, është e papranueshme dhe ka për qëllim intimidimin e gazetarëve në Kosovë.” – thuhet tutje./UBTNews/