Në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, ka prezantuar rezultatet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) për tremujorin e parë. Ai ka treguar para ministrave të kabinetit qeveritar, se agjenda përmban 15 prioritete dhe 254 reforma zbatuese, ndërsa deri më tani janë zbatuar 1/3 e reformave.
“ERA II përmban 15 prioritete, 254 reforma zbatuese. Janë zbatuar 1/3 e reformave. Në zbatim kanë qenë 113 reforma. Akoma nuk kanë nisur së zbatuari. Deri në fund të marsit janë zbatuar projektligji për gjykatë speciale dhe për inspektime. Ka kaluar një vit që nga miratimi i planit ERA II dhe kemi edhe një vit të zbatimit të saj. Është e domosdoshme që projektligjet t’i dorëzoni sa më parë në qeveri”, tha Bislimi.
Më 11 gusht të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim për miratimin Planit e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II).
Ky dokument përcakton veprimet e reformave për zbatim të fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në BE. Këto prioritete shërbejnë në përmbushjen e detyrimeve të parapara edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Prioritetet e ERA II janë negociuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian dhe janë lansuar nga Kryeministri dhe Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ato do të zbatohen përmes këtij plani dyvjeçar të veprimit.