UBT News

​Agjencia për Informim e Privatësi pranon 666 ankesa për vitin 2023

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 ka pranuar gjithsej 666 ankesa që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Për mohimin e qasjes në dokumente publike, AIP ka pranuar 549 ankesa, 449 prej tyre janë mbyllur, ndërsa 100 janë në proces të shqyrtimit.

AIP njofton se janë shqiptuar 14 gjoba administrative për moszbatim të vendimeve detyruese: ndaj Komunës së Fushë Kosovës 10 gjoba, Universitetit Publik “Hasan Prishtina” një gjobë, Komunës së Shtërpcës një, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës një dhe Komunës së Gjilanit po ashtu një gjobë, teksa shuma totale e të gjitha gjobave është 47 mijë euro.

Ndërsa, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AIP ka pranuar 117 ankesa, ka kryer 118 inspektime, prej të cilave, 60 inspektime, sipas ankesës, 58 sipas detyrës zyrtare. Numri në total i vendimeve të nxjerra është 178.

AIP ka shqiptuar katër gjoba, prej tyre tri për kontrollues privatë (Asistenca Rrugore e Kosovës dhe Asistenca Rrugore “Kenguri” për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë, si dhe ‘Soma’ Sh. P. K. për mos zbatimin e vendimit të Agjencisë për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë); ndërsa një gjobë ndaj Partisë Socialdemokrate për publikimin e të dhënave personale. Shuma totale e gjobave është 32 mijë euro.

Ndryshe, gjatë 2023, Agjencia për Informim dhe Privatësi është bërë anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Frankofone për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ajo është përfaqësuar në tetë konferenca ndërkombëtare dhe rajonale në cilësinë e panelistes, si dhe ka qenë nikoqire e Konferencës Rajonale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ‘’Iniciativa 20i7’.

Janë lëshuar 48 këshilla dhe opinione ligjore për kontrollues publikë dhe privatë, janë miratuar katër rregullore dhe janë nxjerrë pesë udhëzues për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe janë lëshuar tetë vendime për transferim ndërkombëtar të të dhënave personale.

Exit mobile version