Nëntë punonjës të OKB-së janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza që nga fillimi i bombardimeve të shtunën, tha të mërkurën një agjenci e OKB-së.
“Nëntë punonjës të UNRWA-s (gjashtë personel dhe tre kontraktorë) u vranë, ndërsa tre mësues u plagosën”, tha në një deklaratë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë (UNRWA).
Në deklaratë thuhet se të gjitha shkollat e UNRWA në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë Qendrën e Rehabilitimit për Personat me Shikim të Dobët dhe dy qendrat profesionale në Gaza dhe Khan Younis, mbeten të mbyllura.
“Dy shkolla të UNRWA u prekën nga sulmet ajrore, duke e çuar në total numrin e ndërtimeve të prekura nga konflikti në 20 që nga 7 tetori”, thuhet në deklaratë.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi kur Hamasi filloi Operacionin “Al-Aksa Flood” – një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe depërtimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit, dhe ajrit.
Hamasi tha se ishte një hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite nisi Operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës si përgjigje.
Përgjigjja e Izraelit është zgjeruar me ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim të madh që nga viti 2007.
Më shumë se 1 mijë e 900 njerëz janë vrarë, duke përfshirë të paktën 900 palestinezë dhe 1 mijë izraelitë, sipas autoriteteve./AA