Kreu i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha në një takim urgjent të OKB-së se “armëpushimi i menjëhershëm humanitar ëshë shndërruar në çështje jetë a vdekje për miliona njerëz”, duke e akuzuar Izraelin për ndëshkimin kolektiv të palestinezëve dhe për detyrimin e civilëve për t’u zhvendosur.
Philippe Lazzarini paralajmëroi se prishja e mëtejme e rendit civil, pasi depotë e agjencisë u shkatërruan nga palestinezët në kërkim të ushqimit dhe ndihmave të tjera, “do ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë, nëse jo të pamundur, vazhdimin e funksionimit të agjencisë më të madhe të OKB-së në Gaza”.
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, mbi 8 mijë e 300 njerëz kanë vdekur – 66% e të cilëve janë gra dhe fëmijë – dhe dhjetëra mijëra janë plagosur./UBTNews/