UBT News

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë kërkon 1.6 miliardë dollarë

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, bëri thirrje të martën për 1.6 miliardë dollarë për punën e saj në vitin 2023, ndërsa lufton për të kapërcyer mungesat kronike të buxhetit.

UNRWA, e cila ofron shërbime për gati gjashtë milionë palestinezë, përfshirë Jerusalemin lindor të aneksuar nga Izraeli, si dhe në Jordani, Liban dhe Siri, paralajmëroi se “sfidat e ndërlikuara” e kishin vënë atë nën “tension të madh”.

Agjencia, e cila numëron rreth 30,000 staf — shumica prej tyre refugjatë palestinezë — drejton më shumë se 700 shkolla që ofrojnë arsim për gjysmë milioni fëmijë dhe ofron shërbime shëndetësore, higjienike dhe sociale, duke përfshirë ushqimin dhe ndihmë në para.

Nga 1.6 miliardë dollarët e kërkuar, UNRWA tha se 848 milion dollarë nevojiteshin për shërbime të tilla thelbësore. Ndërsa 781.6 milionë dollarë të tjerë nevojiteshin për operacione emergjente.

Shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini tha se agjencia luajti “një rol të domosdoshëm” për miliona refugjatë palestinezë.

Agjencia paralajmëroi se shumica e refugjatëve palestinezë tani jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe një numër në rritje varen nga UNRWA për ndihmë, ndonjëherë për “mbijetesën e tyre”.

UNRWA është përballur prej kohësh me mungesa kronike buxhetore, të cilat u përkeqësuan në mënyrë dramatike në vitin 2018 kur ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndërpreu mbështetjen për agjencinë./UBTNews/

Exit mobile version