Kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat tjetër në krye të kësaj komune, Agim Bahtiri ka pranuar rezultatet e mbrëmshme të cilat e kanë nxjerrë fitues Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka njoftuar se kundërkandidatit Hamza ia ka uruar fitoren nëpërmjet një bisede telefonike.
“Në zgjedhjet e djeshme për kryetar komune, edhe njëherë treguam se zgjedhjet janë të lira dhe demokratike e me një proces pa asnjë problem. Natyrisht në garë dikush fiton dhe dikush tjetër humb dhe kjo vendoset nga populli. Falenderoj qytetarët që për dy herë radhazi më kanë dhënë besimin mua për të udhëhequr Mitrovicën. Gjithashtu, falenderoj shumë të gjithë qytetarët që edhe kësaj radhe besuan në mua duke më votuar. Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten. Do të jem gjithmonë në shërbim të Mitrovicës”, ka shkruar ai në Facebook.