UBT News

Agim Aliu shpall fitoren në Ferizaj

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu ka shpallur fitoren e tij bindëse për të qeverisur edhe një mandat me këtë komunë.

Aliu, i cili aktualisht është kryetar i Ferizajt, tha se tashmë në këtë qytet po kumbon fitorja e qytetarëve, të cilën e konsideroi madhështore dhe historike. Ai në një konferencë për medie tha se përmes kësaj përkrahje të jashtëzakonshme fitoi qeverisja e qytetarëve dhe jo ajo politike.

“Tash kur u mbyllen fletëvotimet nga çdo lagje nga gjithë në Ferizaj kumbon fitorja juaj. Kjo fitore madhështore historike dhe e jashtëzakonshme ferizajasit fitua, fitoi qeverisja qytetare e jo qeverisja politike fitoi qeverisja e pa korruptuar dhe me punën për ndryshimin e Ferizajt, fitoi nderi guximi morali, dija u shpërblye edhe u vlerësua lart puna jonë katër vjetëve që shkuan. Të dashur ferizajas, jam i emocionuar, nuk ka forcë më të madhe se besimi juaj. Jam i privilegjuar të jem kryetar i Ferizajt që shquhet për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën, sportin”, tha Aliu.

Aliu po ashtu tha se erdhi ora e fitores për t’i dhënë më shumë dritë, siç u shpreh ai, ditëve që i presin.

“Ora e fitores erdhi për t’i dhënë edhe më shumë dritë ditëve që na presin vendosët ju sot në një proces model zgjedhor përtej bindjes politike përtej librezave të partive, përtej rreshtimit ideologjik përtej logove zgjedhore. Vendosët ju të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve dhe familjes tuaj, vendosët ju që Ferizaj asnjëherë të mos bie në gracën e luftërave politike kur është në pyetje interesi i qytetit të Ferizajt. Kjo është kultura e ferizajasve, ky është modeli i demokracisë sonë, kjo është fitorja spektakulare që korrëm bashkë”, tha Aliu.

Sipas rezultateve të para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt prin Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Agim Aliu me gjithsej 64.54%. Ndërsa, Valon Ramadani i Lëvizjes Vetëvendosje renditet i dyti me 25.10 %, ndërsa Sibel Halimi nga LDK ka 8.30%. 

Exit mobile version