Me 76 vota për, 6 kundër asnjë abstenim, Afrim Gashi nga koalicioni VLEN zgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Gashi përmes një postimi në Facebook, i ka falënderuar për mbështetje, të gjithë.
“Vazhdojmë t’i përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve”, ka shkruar ai.
Lidhur me zgjedhjen e tij, ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjuifca duke e uruar.
“Do të jetë shumë kënaqësi të punojmë së bashku, për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona, përfshirë atë të institucioneve tona parlamentare. Mezi pres t’ia nisim punës për të çuar përpara sa më shumë interesat tona të përbashkëta, për të kontribuuar bashkërisht drejt stabilitetit të qëndrueshëm rajonal dhe synimeve euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij shqiptarët janë jo vetëm shenjë demografie, por edhe demokracie në politikën e Maqedonisë së Veriut, prandaj aksi mes lirisë dhe barazisë së qytetarëve sipas Konjufcës u respektua me zgjedhjen e Gashit si kryeparlamentar, duke lënë pritshmërinë e vijimit në frymën gjithëpërfshirëse.