Kenia është vendi i fundit afrikan që raportoi rritje të rasteve me kolera. Ministria e Shëndetësisë e Kenisë ka paralajmëruar për dhjetëra raste të konfirmuara në gjashtë qarqe.
Nga 61 personat e infektuar, 13 janë shtrirë në spital, tha ministria në një deklaratë të lëshuar në fund të javës së kaluar.
Kolera është një infeksion i zorrëve me bakteret Vibrio cholerae. Ndërsa jo të gjithë ata që infektohen me kolerë shfaqin simptoma, rreth një në pesë pacientë të infektuar zhvillojnë diarre shpërthyese ujore dhe të vjella që mund të çojnë në dehidrim të rëndë dhe madje edhe vdekje, nëse nuk menaxhohen në kohë.
Mjekët pa Kufij, i njohur zakonisht me shkurtesën e tij franceze MSF, ka paralajmëruar edhe për raste të dyshuara të kolerës në kampin e gjerë Dadaab, shtëpia e më shumë se 233 mijë refugjatëve në lindje të Kenisë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të shëndetësisë, Patrick Amoth tha se thatësira e zgjatur mund të përkeqësojë shpërthimin e kolerës në Kenia për shkak të mungesës së qasjes në ujë të sigurt. Ai ka vënë në gatishmëri të lartë të gjitha qarqet./UBTNews/