Afrika e Jugut po përballet me përhapje të madhe të infeksionit qysh prej kur u regjistrua rasti i parë me variantin Omicron në vend. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë i Afrikës së Jugut, Joe Phaahla, të premten, gjatë një adresimi virtual, duke shtuar se ka indikacione që varianti është shumë i transmetueshëm.
“Në shtatë ditët e fundit u pa një rritje e infeksioneve. Ne kemi lëvizur nga gjithsej rreth 2 mijë e 565 raste të reja të enjten e javës së kaluar, kur u detektua ky variant, në 11 mijë e 555 dje”, tha Phaahla.
Rastet e reja u rritën më shumë se 300% në shtatë ditët e fundit, shpjegoi ai, ndërsa shkalla e pozitivitetit të rasteve ishte rritur nga 1-2% dy javë më parë, në 22%.
Ka gjithashtu indikacione se varianti “është me të vërtetë shumë i transmetueshëm, përfshirë edhe te njerëzit që janë vaksinuar. Por, sigurisht, infeksionet po shkaktojnë sëmundje kryesisht të lehta, veçanërisht për ata që janë të vaksinuar”, deklaroi ai.
Varianti Omicron është përhapur edhe te grupmoshat më të vjetra, tha në të njëjtën konferencë Dr. Michelle Groome, e cila është në krye të Divizionit të Mbikëqyrjes dhe Reagimit të Shëndetit Publik në Institutin Kombëtar për Sëmundjet Transmetuese (NICD).
“Ndonëse këto infeksione grupore filluan te të rinjtë tanë, ne po shohim një përhapje te grupmoshat më të vjetra, ndërsa kjo valë po përparon. Dëshmitë e hershme tregojnë se ky variant është më i transmetueshëm dhe se ka një shkallë të imunitetit”, tha ajo./UBTNews