Shkencëtarët në Afrikë të Jugut kanë bërë një kopje të vaksinës Moderna, që sipas tyre do të ndihmojë në rritjen e normave të vaksinimit përreth Afrikës. Ky kontinent ka shkallën më të ulët të vaksinimit në botë.
Kompania prodhuese, Afrigen Biologics – shpreson se do të nisin provat klinike në muajin nëntor. Moderna më parë tha se nuk do të zbatojë patentat për vaksinën e saj, duke lejuar shkencëtarët në Cape Town të krijojnë versionin e tyre të vaksinës Moderna.
Petro Terblanche, drejtor i kompanisë Afrigen Biologics, thotë se po fillojnë me hapa të vegjël, por kanë ambicie që të zgjerohen shpejt.
Shumë nga vendet e Afrikës kanë vaksinuar më pak se 10% të popullsisë së tyre, krahasuar me rreth 80% të popullsisë së vaksinuar në Evropë, Amerikën e Veriut, Australi dhe Kinë.
Është raportuar se BioNTech – kompania e cila është partnere e Pfizer në prodhimin e një vaksine mRNA – gjithashtu ka plane për të hapur një fabrikë të prodhimit të vaksinave në këtë kontinent./UBTNews