Afganistani nisi një tjetër fushatë të vaksinimit kundër poliomielitit, e cila synon mbrojtjen e rreth 11.2 milionë fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë e talibanëve.
Fushata katërditore mbarëkombëtare – e dyta këtë vit – do t’i mbulojë 34 provincat e vendit, thuhet në deklaratë.
“Ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do t’i vazhdojmë fushatat e vaksinimit kundër poliomielitit, ashtu si dhe shërbimet plotësuese shëndetësore, derisa ta zhdukim poliomielitin nga Afganistani”, tha ministri Noor Jalal Jalali.
Ai u bëri thirrje dijetarëve fetarë, pleqve të komunitetit dhe prindërve që t’i luajnë rolet e tyre në luftën kundër kësaj sëmundjeje, që mund të çojë në paralizë dhe vdekje.
Në dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se riatdhesimi i migrantëve afganë nga Pakistani fqinj, e ka rritur rrezikun e përhapjes së poliomielitit.
Që atëherë, Afganistani ka kryer disa runde vaksinimesh.
Katër raste të këtij virusi janë regjistruar në Afganistan vetëm këtë vit, sipas Abdul Quddus Baryalait, drejtor i Qendrës kombëtare për Çrrënjosjen e Poliomielitit. Vitin e kaluar, sipas tij, janë regjistruar gjithsej gjashtë raste.
Fushatat e vaksinimit në Afganistan dhe Pakistan shpesh janë sfiduese, për shkak të teorive konspirative se vaksinat e poliomielitit shkaktojnë infertilitet ose se vaksinuesit janë spiunë.
Para se të merrnin pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët kanë ndaluar shkuarjen e vaksinuesve nga shtëpia në shtëpi, në zonat që ata kanë kontrolluar.
Megjithatë, Kombet e Bashkuara i kanë bindur që ta rinisin programin e vaksinimit në të gjithë vendin, pas kthimit të tyre në pushtet./REL