Talibanët kanë djegur instrumentet muzikore në Afganistan, duke pretenduar se muzika “shkakton korrupsion moral”.
Pajisjet muzikore me vlerë mijëra dollarëshe u dogjën të shtunën në provincën perëndimore të Heratit.
Qëkur morën pushtetin në vitin 2021, talibanët kanë vendosur kufizime të shumta sikurse ndalimi i transmetimit të muzikës në publik.
Ahmad Sarmast, themelues i Institutit Kombëtar të Muzikës në Afganistan, i krahasoi veprimet e tyre me “gjenocid kulturor dhe vandalizëm muzikor”.
“Popullit të Afganistanit i është mohuar liria artistike… Djegia e instrumenteve muzikore në Herat është vetëm një shembull i vogël i gjenocidit kulturor që po ndodh në Afganistan nën udhëheqjen e talibanëve”, tha Dr Sarmast për BBC.
Në mesin e artikujve të djegur në Herat janë një kitare, një harmonium dhe tabla – një lloj daulleje, si dhe amplifikatorë dhe altoparlantë./UBTNews/