UBT News

Aeroporti i Prishtinës ka rritje të udhëtarëve krahasuar me vitin 2019

Në mëngjesin e ditë së hënë, situata në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ishte më e qetë krahasuar me ditët tjera, ku edhe pati incidente si pasojë e fluksit të madh të qytetarëve.

Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, tha se arsyeja e turmave është fluksi i madh i mërgimtarëve dhe kërkesat e shteteve tjera që të jenë në aeroport tri orë më herët në mbrojtje nga pandemia dhe për të dorëzuar dokumentet e kërkuara.

“Nëse krahasojmë këtë vit me vitin 2019 në muajin korrik shohim një rritje të madhe, ndërsa nga muaji janar-korrik kemi kaluar shifrën mbi 1 milion udhëtarë. Nga java e parë e gushtit kemi procesuar mbi 104 mijë udhëtarë dhe diku 660 fluturime ardhje-vajtje, kemi një valë më të madhe, sepse restrikcionet ku ata jetojnë kanë kërkuar të vinë tri orë më herët për shkak të dokumenteve të kërkuara”, tha Gara.

Mërgimtari nga Gjermania, Dardan Sahitaj, i cili me familje ka ardhur për pushime tek vendlindja e tij në qytetin e Rahovecit, tha se në Kosovë ka qëndruar për 3 javë dhe si në ardhje ashtu edhe tash duke shkuar nuk ka hasur ndonjë problem të madh, vetëm vonesa të vogla.

“Kemi pasë 3 javë pushime e kemi kaluar mirë, kam dëgjuar se janë ankuar mërgimtarët për pritje”, deklaroi ai.

Qytetari tjetër nga Prizreni, Ismet Hoxha, i cili jeton në Zvicër, sapo kishte arritur në Aeroport dhe tha se nuk ka hasur në ndonjë problem.

Exit mobile version