Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Kurse, fshati Babaj i Bokës, do të shndërrohet në zonë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kështu është bërë e ditur gjatë një konference të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ministri Mehaj tha se kanë pranuar dritën jeshile për Aeroportin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës.
Ai falënderoi ministrin Liburn Aliu dhe MPHI-në për kontributin e dhënë në zhvillimin e ushtrisë së Kosovës.
“Po flasim për Aeroportin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës. Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes dhe Babaj të Bokës, do të shndërrohet në zonë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në të cilën do të ndërtohen poligone taktike, moderne, sipas standardeve të NATO-s… Kjo formë e bashkëpunimit tregon qartë se qëllimi ynë është zhvillimi dhe avancimi i ushtrisë së Kosovës që mundëson integrimin më të shpejt në NATO. Synimi jonë si Ministri e Mbrojtjes është rritja e kapaciteteve trajnuese për FSK-në, andaj edhe investimi në këto dy projekte infrastrukturore do të bëhen në bashkëpunuam me partnerët tanë strategjikë, sidomos ShBA. Pra po bëhet fjalë për investime milionshe me profesionist të fushës së mbrojtjes për të garantuar se ushtria jonë do të ketë të gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimeve me kapacitete të plota mbrojtëse“, tha Mehaj.
Ai dha detaje edhe për investimet në Aeroportin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës dhe funksionet që do t’i ketë.
“Poligonet taktike të Babaj të Bokës do të jenë poligone moderne të dizajnuara nga oficerët dhe nënoficerët tanë kompetent, të cilat do të ndërtohen sipas standardeve të partnerëve tanë amerikane por edhe të NATO-s…këto poligone taktike do të jenë në funksion jo vetëm për ushtrinë e Kosovës por edhe për gjithë partnerët strategjikë. Ndërsa, Aeroporti i Gjakovës, planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës, në të cilin do të projekt në mënyrë direket do të investohet edhe nga partnerët tanë strategjikë në krye me SHBA”, tha ai.
Kurse, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ministria që drejton ka marrë përsipër dhe ka kryet shpronësimin e pronave të paluajtshme në Babaj të Bokës dhe në Aeroport të Gjakovës.
“Pagesat janë kryer gjatë vitit 2022-2023 për të dyja projektet. Pagesat janë kryer në shumën 9.4 milionë euro….pothuaj të gjitha pronat e shpronësuara tashmë janë bartë në emër të Republikës së Kosovës dhe besoj që edhe në ditën ë vijim nëse ka mbetur ndonjë do të kryhen të gjitha“, tha ai.
Të dy ministrat thanë se po vazhdojnë bashkëpunimin me qëllim se edhe në të ardhmen të gjejnë baza të reja për nevojat e FSK-së.