Deputetja Adriana Matoshi është rikthyer sot në Kuvendin e Kosovës pas operimit që kishte pasur. Ajo është mirëpritur nga deputetët me duartrokitje.
Në emër të Kuvendit të Kosovës, kryetari Gluak Konjufca, tha se i dëshirojnë shëndet dhe jetë të gjatë deputetes Matoshi.
“Kësaj seance sapo i dha jetë më shumë deputetja që sapo arriti, Adriana Matoshi, deputetja jonë e nderuar. Ka kaluar nëpër një ndërhyrje kirurgjike të vështirë, por ia ka dalë jo vetëm pse vet është e fuqishme, po pse edhe në çdo moment e në çdo sekondë kemi qenë me ty. Kështu që, në emër të Kuvendit dhe të gjithë deputetëve të dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë”, tha ai.
Deputetja Adriana Matoshi ditë më parë kishte njoftuar se i është rikthyer tumori në kokë, për çka edhe i është nënshtruar operimit.
Ajo arriti në Kuvend në kohën kur është duke u shqyrtuar në lexim të dytë buxheti për vitin 2022.