Admirali Stuart B. Munsch, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli deklaroi se Ura e Ibrit nuk duhet të hapet dhe se një gjë e tillë mund të shkaktojë rrezik. Kështu u shpreh ai pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë, ku ai foli për situatën në veri dhe bashkëpunimin me institucionet e sigurisë në vend. Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate Napoli u pyet edhe lidhur me shqetësimet e ngritura nga autoritetet vendore për 48 bazat ushtarake të vendosura përreth kufirit me Serbinë.
Në konferencë për media pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali i NATO-s u shpreh se mandati i KFOR-it në Kosovë është për një mjedis të sigurtë, për çka shtoi se ka sfida të vazhdueshme.
“Pra, mandati i KFOR-it është të ruajë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet këtu në Kosovë. Ka sfida të vazhdueshme për këtë, disa janë të brendshme dhe disa janë ndërkombëtare. Dhe KFOR-i punon për të kuptuar dhe përjashtuar efektivitetin e tyre”, u shpreh ai.
Admiral Stuart B. Munsch, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate deklaroi se Ura e Ibrit nuk duhet të hapet për shkak se mund të shkaktojë rrezik.
“Politika e NATO-s mbi urën është që të mos hapet në këtë moment dhe se ajo duhet t’i nënshtrohet dialogut ndërmjet palëve të interesuara. Është një çështje politike në këtë pikë dhe jo një çështje ushtarake. Dhe arsyeja pse nuk do të jetë e hapur tani është për shkak të gjasave që mund të shkaktojë rrezik për mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes së të gjitha komuniteteve në Kosovë”, deklaroi ai para mediave.
Më tej, theksoi se forcat e sigurisë kanë qenë transparente për aktivitetet e tyre me KFOR-in.
“KFOR-i mban linja të hapura komunikimi me të gjitha forcat e sigurisë në zonë për të kuptuar se cilat janë aktivitetet e tyre, dhe organizatat e sigurisë kanë qenë transparente dhe komunikimet e tyre në KFOR. Dhe kështu në këtë kohë, ne nuk shohim ndonjë shqetësim duke pasur parasysh transparencën që ekziston me KFOR-in”, theksoi ai më tej.
Në pyetjet e gazetarëve, admirali i NATO-s theksoi se çdo gjë që lidhet me armatime më të avancuara për FSK-në bëhet në baza dypalëshe jashtë sferës së NATO-s.
“Mandati i KFOR-it nuk është të punojë me ngritjen e kapaciteteve me FSK-në, është një organizatë e veçantë e NATO-s që e bën këtë. Në baza bilaterale, disa vende punojnë me FSK-në dhe kjo është jashtë sferës së NATO-s dhe KFOR-it. Dhe ajo organizatë tjetër e NATO-s punon vetëm për mbrojtjen civile. Çdo gjë që lidhet me armatimet më të avancuara bëhet në baza dypalëshe jashtë sferës së NATO-s”, tha admirali i NATO-s.
Sa i përket deklaratave të krerëve të shtetit për 48 bazat ushtarake të vendosura nga Serbia përreth kufirit, ai deklaroi se ekzistojnë grupe kriminale që veprojnë në këtë rajon.
“Siç e përmenda edhe më parë, KFOR-i mban komunikim të hapur dhe transparent me organizatat e sigurisë në rajon. Dhe me këtë ata janë në gjendje të kuptojnë aktivitetet që po kalojnë, dhe nuk ka shqetësime me ato organizata në këtë moment në këtë kohë. Të ndara nga organizatat e duhura të sigurisë kombëtare, ekzistojnë grupe kriminale që veprojnë në këtë rajon, padyshim që është jashtë sferës së operacionit të një shteti, dhe është gjithashtu në fushën e zbatimit të ligjit dhe KFOR-i nuk vepron në fushën e zbatimit të ligjit. Por për sa i përket organizatave të sigurisë shtetërore, ne kemi transparencë dhe besim në ato komunikime dhe mirëkuptim”, deklaroi ai në konferencë për media.
Mandati i KFOR-it, siç tha ai, është për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për lëvizje të lirë të të gjitha komuniteteve. Admirali i NATO-s theksoi se ka pasur një ndërveprim të gjerë mes KFOR-it dhe popullatës serbe në Kosovë, për çka shtoi se ka pasur qëllim të ndihmojë në ruajtjen e një mjedisi të qetë, të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.