UBT News

Adele falënderon hitin e Netflix “Adolescence” për ndryshimin në marrëdhënien me të birin

Ylli britanik i muzikës pop, Adele, i ka shkruar letra falënderimi krijuesve të serialit të Netflix “Adolescence”, duke treguar se drama e fuqishme e ka ndryshuar marrëdhënien e saj me djalin 13-vjeçar, Angelo.

Adele, 37 vjeçe, e pa serialin së bashku me Angelo, dhe i dërgoi një letër regjisorit Philip Barantini, duke e vlerësuar për ndikimin që pati në marrëdhënien e tyre.

“Adolescence” trajton historinë e një nxënësi të ri që përballet me pasojat e radikalizimit online dhe është seriali më i shikuar në gjuhën angleze në Netflix pas “Wednesday”, shkruan DailyMail.

Regjisori Barantini tha se ka marrë mesazhe nga njerëz nga bota që janë prekur nga kjo histori, përfshirë edhe një mesazh nga Steven Spielberg. Ai përmendi edhe letrën prekëse të Adeles, e cila e bëri këtë bashkëpunim edhe më domethënës.

Seriali ka ndezur një debat kombëtar dhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer e ka rekomanduar për t’u shfaqur në shkolla, duke treguar se e ka parë me fëmijët e tij.

Në aspektin personal, Adele vazhdon jetën e saj pas divorcit nga Simon Konecki dhe është në një lidhje prej vitit 2021 me të fejuarin Rich Paul, me të cilin u shfaq rrallë publikisht vitin e kaluar.

Exit mobile version