UBT News

Abraham: I shqetësuar për zhvillimet në veri, tani mungon fundamenti për Asociacion

Deputeti gjerman, Knut Abraham është shprehur i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse “situata këtu po përkeqësohet”. Ai në në intervistë për Deutsche Welle, ka potencuar se situata në veri është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës.

“Është e nevojshme të flitet me të dyja palët. Mbi të gjitha shoh se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë. Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Lidhur me situatën në veri, anëtari i CDU-së në Bundestag, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap.

“Sigurisht, e kuptoj plotësisht se qeveria e Kosovës, si qeveri e një shteti sovran, dëshiron të zbatojë rregullat që vlejnë për të gjithë njerëzit në territorin e saj. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap, nëse e ndihmon qëllimin apo jo. Pra, kam mirëkuptim që ajo dëshiron të zbatojë vendimin për targat, por duhet të merret parasysh nëse është kaq e mençur të zbatohen dënimet. Këshilla jonë është që me mençuri të mendohet për pasojat e dyta dhe të treta të masave që merren. Për agjitatorët dhe ekstremistët është e lehtë kur ka një çështje që shqetëson edhe njerëzit e zakonshëm, atëherë edhe njerëzit e zakonshëm janë të gatshëm të mirëpresin gjëra që ata zakonisht nuk i mirëpresin”, ka thënë ai.

Knut Abraham ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me ç’rast ka potencuar se është një zgjidhje që mund të ndodhë në planin afatgjatë.

“Një masë e tillë kërkon besim absolut në besnikërinë e qytetarëve që i përkasin një kombësie tjetër. Dhe nëse kjo besnikëri nuk ekziston, siç po vihet re tani, duke pasur parasysh shembujt negativë në veri të Kosovës, atëherë mungon fundamenti për një asociacion të tillë të komunitetit serb. Në terma afatgjatë, mendoj se kjo është një ide, së cilës mund t’i qaset një shteti i fortë dhe sovran. Por kërkon bazamentin e duhur dhe një plan. Dhe një hap i tillë nuk mund të bëhet me detyrim, kur besimi mungon në mënyrë të dukshme”, ka shtuar ai.

Exit mobile version