UBT News

Abdixhiku uron 4 korrikun: SHBA model i shumë popujve anekënd globit, aleat i përhershëm strategjik i Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sot festojnë 248-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Abdixhiku ka thënë se 4 korriku i vitit 1776 shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin në botë.

“4 korriku i vitit 1776, shpallja e pavarësisë së ShBA-ve padyshim shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë.”

Ai ka shtuar se SHBA’të janë sinonim i kombit të madh që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt.

“Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci.”

Ndërkaq për Kosovën, Abdixhiku ka thënë se SHBA’të kanë qenë, janë dhe do të mbesin aleat i përhershëm strategjik.

I pari i LDK-së tha se pa mbështetjen e SHBA-ve Kosova do ta kishte të pamunfur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit.

“Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike.”

“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë. Urime Ditën e Pavarësisë SHBA! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë në mes dy vendeve tona!”

Exit mobile version