UBT News

Abdixhiku thotë se do ta fitojnë edhe Dragashin: LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku një ditë pas mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve ka reaguar duke thënë se fitorja në 7 komuna është arritje e madhe.

Ani pse në Dragash sipas rezultateve preliminare të KQZ-së është duke prirë kandidati i PDK-së, Shaban Shabani me 50,21 përqind, Abdixhiku thotë se LDK do ta fitojë kandidati i tyre për kryetar Bexhet Xheladini që ka 49,79 përqind të votave. Kështu sipas tij në katër vitet e ardhshme LDK do të qeverisë në tetë komuna.

Megjithatë Abdixhiku ka thënë se LDK do të vazhdojë punën në rrugëtimin e rigjetur.

“Të dashur qytetarë, të dashur mbështetës të Lidhjes sonë. Rrugëtimi ynë i përbashkët deri në zgjedhjet e 17 tetorit e 14 nëntorit është rrugëtim që do ta mbajmë me vete gjatë. E nisëm të vetëdijshëm për sfidat përpara; po e përfundojmë krenarë dhe kokulur për besimin e marrë nga qytetarët tanë. LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë. Kryetarët e zgjedhur i uroj, dhe ju uroj shërbim të denjë ndaj njerëzve tanë pa dallim. Siç edhe i uroj të gjithë kandidatët e kandidatet tjera, që pavarësisht rezultatit final, dhanë gjithçka, bënë garë të drejtë e kontribuan si një familje e vërtetë në rikthimin e madh. Ky rezultat është i të gjithëve; mbesim një familje, mbesim një shtëpi. LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkudhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurtë. Në fund, nga zemra, një falenderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm! I juaji, Lumiri”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Exit mobile version