Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale në veri të vendit.
Abdixhiku e ka shprehur qëndrimin e LDK-së, duke theksuar domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve me aleatët ndërkombëtarë.
“Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Guérot për qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate, duke theksuar domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës me aleatët tanë si parakusht i stabilitetit afatgjatë”, ka njoftuar LDK-ja.
Kreu i LDK-së gjithashtu ka theksuar nevojën e mbështetjes ndaj institucioneve të rendit në Kosovë, me qëllim të garantimit të sigurisë së institucioneve dhe të qytetarëve përballë rrezikut të dhunës së krijuar nga bandat kriminale në veri të vendit.