UBT News

Abdixhiku takohet me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së, diskutojnë për ngërçin politik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar të enjten me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipatti.

Sipas LDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë në situatën në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

Abdixhiku e njoftoi Prattipattin për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike, duke ritheksuar përkushtimin e partisë për funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e tejkalimit të ngërçit politik dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit.

Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Takimi vjen një ditë pasi Kuvendi sërish dështoi të konstituojë legjislaturën e re, këtë herë për shkak të mungesës së dakordimit për emrat e nënkryetarëve.

Ndërkohë, Abdixhiku dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president, por marrëveshja nuk garanton kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër./A.K/

Exit mobile version