Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, akuzoi sërish ekzekutivin si dhe figurat me ndikim në opinon publik se po dëshirojnë të normalizojë distancimin nga aleatët e vendit, duke shtuar se ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti.
Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku u shpreh se investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë, në veçanti pa koordinim me ShBA-të.
“Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje. Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se ëhstë koha që këta njerëz të refuzohen pasi kërkesa për ecje me Shtete e Bashkuara ësht akt patriotik.
“Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë. Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhti. Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik”, përfundoi Abdixhiku.
Ndërsa, edhe gjatë ditës së martë, pas takimit me Kurtin dhe me kryesinë e partisë, kreu i LDK-së ka përsëritur fjalët se Kosova duhet të ketë koordinim më të ngushtë me aleatët pas situatës në veri.