Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar Xhemail Mustafën në 22-vjetorin e vrasjes së tij.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së thotë se vrasja e tij në hyrje të banesës ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për mbarë vendin e sapo dalë nga lufta.
“Më 23 nëntor të vitit 2000 u shua mizorisht nga jeta, Xhemail Mustafa, njëri ndër kolosët e lëvizjes politike të viteve 90’ta. Vrasja e tij në hyrje të banesës ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për mbarë vendin e sapo dalë nga lufta. Vrasja e Xhemail Mustafës ishte goditje e rëndë ndaj vlerave më të larta të kombit dhe të vetë demokracisë për të cilën ai nuk u ndal së punuari gjatë gjithë jetës”, deklaroi ai.
Abdixhiku tutje thotë se roli dhe kontributi i Xhemail Mustafës në rrugëtimin për liri dhe pavarësi është i pashoq, eliminimi i tij nga dora e zezë që nuk ia deshi të mirën Kosovës, ishte vetëm eliminim fizik, ngase ideali i tij për shtet-ndërtim nuk u ndal asnjëherë, e vazhdon të jetë inspirim për gjeneratat që vijnë.
“Xhemail Mustafa ishte profil shumëdimensional i shkrimtarit, publicistit, gazetarit e këshilltarit politik, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova. Ai ka punuar si redaktor në fushën e kulturës në gazetën “Rilindja”, pastaj zelli i tij prej një doeajeni të gazetarisë e informimi të opinionit publik vazhdoj edhe në QIK (Qendrën Informative të Kosovës) deri në momentet e vrasjes së tij. Sot, edhe pas 22 vitesh, përderisa vrasja e tij mbetet e pazbuluar për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë. Edhe sot kur kanë kaluar më shumë së dy dekada nga vrasja e Xhemail Mustafës, ai mbetet figura e njeriut modest, të qetë, fjalëpak që rrezatonte mirësi e maturi. I tillë do të jetë nderimi për jetën dhe veprën e tij. I përjetshëm kujtimi për Xhemail Mustafën”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.