UBT News

Abdixhiku përkujton 25-vjetorin e 11 Shtatorit: Kosova e njeh çmimin e lirisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se sulmet e 11 Shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona, tronditën mbarë botën dhe mbetën në kujtesën kolektive si një prej akteve më të rënda të terrorizmit.

“Ky sulm nuk ishte vetëm një goditje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por një sfidë brutale ndaj vetë vlerave themelore mbi të cilat ngrihet shoqëria demokratike, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe popullin amerikan, duke theksuar se dhimbja e tyre është pjesë e kujtesës së përbashkët.

Abdixhiku tha se Kosova e njeh nga afër “çmimin e lirisë” dhe rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara.

“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm marrëdhënie mes dy vendeve; është një lidhje e ndërtuar mbi besim, vlera dhe një histori të përbashkët solidariteti”, u shpreh ai.

Në fund, Abdixhiku riafirmoi përkushtimin e tij ndaj aleancës me SHBA-në dhe vlerave demokratike, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 Shtatorit”./A.K/

Exit mobile version